Qeveria gjermane ka vendosur ta ulë në gjysmë kuotën vjetore të vizave të punës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Nga janari 2027, vetëm 25 mijë persona në vit do të mund të punësohen përmes Rregullores për Ballkanin Perëndimor, nga 50 mijë që është sot.
Skema, në fuqi që prej 2016-s, u mundëson qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të punojnë në Gjermani me procedura të lehtësuara, edhe pa kualifikim formal. Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, rreth 546 mijë shtetas të rajonit janë të punësuar në Gjermani dhe kuota aktuale tashmë ka rezultuar e pamjaftueshme, pasi është tejkaluar që në 2025 dhe pritet të shterohet sërish para fundit të 2026-s. Vetë Agjencia kërkon që kuota të mbetet 50 mijë, duke paralajmëruar se ulja do ta vështirësojë rekrutimin për kompanitë gjermane në sektorë si ndërtimtaria, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Megjithatë, përgjysmimi nuk do të thotë ndalim i punësimit – kosovarët do të mund të përdorin edhe rrugë të tjera ligjore migrimi për punë.
Burimi: Telegrafi




Leave a Reply