Në ditën e shtatë të protestës, protestuesit e maskuar të mbledhur para Ministrisë së Arsimit i kanë cilësuar sulmet me gurë ndaj policisë si veprim të drejtë dhe thonë se janë gati të përballen me pasojat.

“Kërkesa e vetme është dorëheqja. Tani që ai do të flasi është tepër vonë. Unë e kam lënë gjimnazin për të punuar. Gjimnazi është humbje kohe. Rama na ka neglizhuar për tre muaj. Ai vet e nisi luftën dhe ne shumë mirë bëjmë që i qëllojmë me gurë”, tha një protestues i maskuar për mikrofonin e Report TV.

Një tjetër protestues student tha se kishin lajmëruar mësuesit për bojkotimin e mësimit dhe kishin marrë mbështetje: “Po protestojmë si studenta, që shkollën ta marrim jo me mik por me meritokraci. Na kanë thënë na përfaqësoni sa më mirë.”

Gjimnazistët pjesë e protestës deklarojnë se janë gati për pasojat me të cilat i ka paralajmëruar kryeministri Rama dhe se nuk i pyesin ndalimet e drejtorive të shkollave. Mes tyre një 14-vjeçar (“Jam 14 vjeç. Rama mendon vetëm për vete”) dhe një tjetër që dje festonte ditëlindjen e 15-të.

Burimi: Shqiptarja.com