Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka vlerësuar sot vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e policisë gjatë përplasjeve me protestuesit në Tiranë, por ka theksuar se mbështetja për efektivët nuk duhet të cenojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu iu drejtua protestuesve duke u kujtuar se kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari. “Dhuna e të tjerëve nuk ju bën ju fajtorë. Mos lejoni që ajo t’ju rrezikojë dhe t’jua mbysë zërin”, shkruan ai.

Deputeti socialist thekson gjithashtu se mazhoranca ka përgjegjësinë të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të përballet me arsyet që i kanë nxjerrë në rrugë. “Thirrja për qetësi nuk na çliron nga ky detyrim”, shprehet ai, ndërsa kërkon që të mos përhapen lajme të pakonfirmuara për viktima apo mesazhe që nxisin hakmarrjen.

Burimi: Shqiptarja.com