Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj komentit të kongresmenit amerikan Joe Wilson për protestat në Tiranë, të publikuara në rrjetin social X.

Wilson shprehej se e ka ndjekur me shqetësim “përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s”, duke kërkuar që qeveria të përmbahej nga çdo formë dhune ndaj protestuesve, ndërsa nënvizonte se të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit.

Balla iu përgjigj se bie plotësisht dakord, por theksoi se dënimi i dhunës pa ekuivok duhet të vijë para gjithçkaje tjetër. Ai i tha gjithashtu Wilson-it se protestat në Shqipëri lidhen me lëvizjen Antifa të së majtës ekstreme dhe u bëri thirrje të pajtoheshin me qëndrimin e presidentit Trump se Antifa është organizatë terroriste.

Reagimi i Wilson u pasua edhe nga kongresmeni Robert Aderholt, të cilit Balla i është përgjigjur në Facebook se “Fatmir Mediu nuk i paska informuar siç duhet” për reagimin e Trump ndaj Antifa.

Burimi: Shqiptarja.com