Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e quajtur ditën e sotme “Ditën 32” të pritjes për drejtësi. Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson të papranueshme që një person ndaj të cilit ngre pretendime për 14 vepra penale të vazhdojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike.
Sipas Bardhit, bëhet fjalë për 2 akuza për korrupsion, 2 për pastrim parash, 2 për fshehje pasurie dhe 8 për shkelje të barazisë në tendera. Ai thekson se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë dhe se drejtësia nuk duhet të kushtëzohet nga vullneti politik apo nga pushteti.
“SPAK duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara, në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim, ku shtohet se drejtësia “nuk mund të presë sinjale politike” dhe as të kushtëzohet nga vullneti i kryeministrit. Bardhi e mbyll mesazhin me thirrjen: “Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm.”
Reagimi vjen në kohën kur hetimet e SPAK-ut për dosjen “Balluku” janë intensifikuar, me afat deri më 20 tetor.
Burimi: Albania Express




Leave a Reply