TIRANË – Pas dorëzimit të kredencialeve te Presidenti Bajram Begaj, takimit me kryeministrin Edi Rama dhe pritjes së krerëve të institucioneve të drejtësisë në zyrën e tij, ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësues të opozitës shqiptare.

Në tryezë me Wendt ishin deputetët demokratë Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Ivi Kaso, si dhe përfaqësues të partive të tjera opozitare, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ishte i pranishëm. Mësohet se në takimin e mëngjesit morën pjesë edhe dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët ndodhen në Tiranë prej disa ditësh në kuadër të turit të tyre ballkanik.

Takimi zhvillohet në kuadër të kontakteve që ambasadori Wendt po mban me përfaqësues të politikës dhe institucioneve shqiptare, pas mbërritjes së tij në vend. Wendt, i cili bëri prezantimin zyrtar më 2 tetor, ka nisur një seri takimesh me aktorë politikë dhe institucionalë, si pjesë e angazhimeve të tij diplomatike në Shqipëri.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi temat e diskutuara gjatë takimit me përfaqësuesit e opozitës. Mungesa e Berishës në tryezën me diplomatët amerikanë është veçanërisht e dukshme, pasi kreu i PD-së ka deklaruar publikisht se nuk ka marrë ftesë nga Ambasada e SHBA-ve për pritjen zyrtare të organizuar më 2 tetor për prezantimin e ambasadorit të ri.

Kontaktet e Wendt me të gjitha kampet politike vijnë në një moment të tensionuar politik në vend, me protesta të përditshme antiqeveritare dhe debate të ashpra në Kuvend për reformën territoriale.

Burimi: newsmaxbalkans.al