Me ftohjen e parë vjeshtore, ndotja e ajrit në Shkup është rikthyer fuqishëm. Të dhënat zyrtare të stacioneve matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor tregojnë se përqendrimi i grimcave të dëmshme PM10 është gati dyfishuar brenda një jave, duke e futur kryeqytetin sërish në zonën e ajrit jo të shëndetshëm.

Në Gazi Babë, mesatarja ditore e grimcave PM10 nga 18,4 mikrogramë për metër kub në fillim të tetorit është ngjitur në 37,7 mikrogramë më 7 tetor. Trend të ngjashëm shënojnë edhe pikat e tjera matëse: në Karposh mesatarja ditore u ngjit nga 32 në mbi 50 mikrogramë, në Milladinovcë nga 11,5 në 31,3, ndërsa në Qendër dhe Lisice shifrat janë gati dyfishuar krahasuar me javën e kaluar.

Maksimumet orore të regjistruara gjatë ditës janë edhe më shqetësuese. Në stacionin matës te Rektorati vlerat e PM10 arritën kulmin prej 130,07 mikrogramësh për metër kub, në Karposh u matën deri në 85,1, në Qendër 69,3, në Lisice 68,8, ndërsa në Gazi Babë maksimumi arriti 61 mikrogramë.

Te grimcat e imëta PM2.5, dukshëm më të rrezikshme për shëndetin, vlera më e lartë u mat në Gazi Babë me 49,2 mikrogramë, ndërsa në Karposh u regjistruan 40,2 mikrogramë për metër kub.

Platforma IQAir e vendosi Shkupin në zonën e verdhë, mesatarisht të ndotur. Indekset më të larta lokale u shënuan rreth Zhelezarës me 124, në Karposh me 97, në Vllahe me 94 dhe në Michurin me 86. Ajër relativisht më të pastër, me indekse të gjelbra, shënuan vetëm sensorët në Gazi Babë me 31 dhe një pjesë e Novo Lisices me 23.

Sezoni i ngrohjes së amvisërive ende nuk ka hyrë në fuqi të plotë, por rënia e temperaturave dhe lugina e mbyllur e Shkupit tashmë po e mbajnë të bllokuar tymin nga trafiku dhe ngrohja fillestare e shtëpive.

Burimi: trn.mk