TIRANË – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka afat deri më 20 tetor për të përmbyllur hetimet për dosjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërsa prokurorët e posaçëm po intensifikojnë marrjen në pyetje të zyrtarëve që kanë qenë vartës të saj.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, radha për t’u paraqitur në SPAK ishte e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, dhe e Viola Haxhiademit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila gjithashtu ka qenë vartëse e drejtpërdrejtë e Ballukut gjatë kohës që ajo drejtonte ministrinë.

Çështja është regjistruar rreth një vit më parë dhe lista e personave të marrë të pandehur nga SPAK është zgjeruar ndjeshëm. Në të përfshihen, krahas Ballukut, edhe Evis Berberi, Gentian Gjylin, Genti Raca, Erald Elezi, Jonida Cece, Ardian Kroni, Denis Xhoxhi, Eduart Agalliu, Arbër Troka, Miranda Shkurta, Dhurata Lazaj, Nikollaq Mihali, Gëzim Noni, Arlinda Gordani, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Për disa prej tyre, për shkak të afateve procedurale, po komunikohen zyrtarisht akuzat, ndërsa të tjerët mbeten nën hetim.

SPAK ka zgjeruar hetimin edhe në drejtim të pasurisë, duke sekuestruar dy vila që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni, janë fshehur dhe nuk janë deklaruar. Sipas skemës së zbardhur nga prokurorët, në këtë skemë dyshohet të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë Igli Taren dhe biznesmenin Arbër Abazi, pa përjashtuar mundësinë e përfshirjes së biznesmenëve të tjerë. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të dyja sekuestrot e vilave të Ballukut.

Ndërkohë vijon marrja në pyetje e personave të dyshuar si të përfshirë në tendera, fituesit e të cilëve dyshohet se janë paracaktuar duke shkelur barazinë e procedurave të prokurimit. SPAK ende nuk ka vendosur se kur do ta thërrasë për t’u marrë në pyetje vetë ish-zëvendëskryeministren, e cila aktualisht është deputete e Kuvendit.

Hetimi ndaj Ballukut nisi fillimisht vetëm për çështje tenderash, por më pas u zgjerua me dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke e kthyer këtë dosje në një nga çështjet më të ndjekura të Prokurorisë së Posaçme.

Burimi: Top Channel