Shqipëria vijon të tërheqë turistë të huaj falë vijës bregdetare, peizazheve natyrore dhe trashëgimisë historike e kulturore. Një dëshmi e bukur e kësaj erdhi me kartolinën e dy turisteve të huaja, të cilën kryeministri Edi Rama e ndau në rrjetet sociale.

Dy vizitoret e huaja e mbyllën kujtimin e tyre në vendin tonë duke bërë me duar simbolin e shqiponjës, gjestin tashmë të njohur ndërkombëtarisht që identifikon Shqipërinë dhe shqiptarët në mbarë botën.

Turizmi mbetet një nga sektorët më me rëndësi për ekonominë e vendit, ndërkohë që zgjatja e sezonit turistik po sjell më shumë mundësi për bizneset lokale si dhe rritjen e punësimit në zonat turistike.

Diversifikimi i ofertës turistike gjatë viteve të fundit ka sjellë zhvillimin e turizmit përtej sezonit veror. Përveç turizmit bregdetar dhe atij të natyrës, Shqipëria ofron mundësi për turizëm kulturor dhe historik, ndërkohë që kuzhina tradicionale, produktet vendase dhe mikpritja janë gjithashtu pjesë e përvojës që ofron vendi për vizitorët e huaj.

Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të përfshira në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si dhe Parku Arkeologjik i Butrintit, janë ndër atraksionet kryesore për vizitorët e interesuar për historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Një vend të rëndësishëm në ofertën turistike zë edhe natyra, me parqet kombëtare, malet, liqenet dhe lumenjtë që ofrojnë mundësi të shumta për vizitorët. Ecjet në shtigje malore, alpinizmi, rafting dhe aktivitete të tjera në natyrë po e bëjnë turizmin e aventurës gjithnjë e më tërheqës.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-gusht 2026 në Shqipëri u regjistruan mbi 9.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj, me një rritje prej 5,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Vetëm në muajin gusht u regjistruan rreth 2,43 milionë hyrje të shtetasve të huaj.

Këto mundësi nxisin jo vetëm zhvillimin e turizmit në zona të ndryshme të vendit, por edhe tërheqjen e vizitorëve gjatë gjithë vitit, përtej sezonit veror – dhe simboli i shqiponjës me duar po kthehet në firmën e paharrueshme të çdo vizite.

Burimi: Albania Express