Këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Komunën e Kumanovës, Blerim Hyseni, ka reaguar ashpër pasi një sallë publike në Kumanovë u rinovua, por – sipas tij – në të u “harrua” gjuha shqipe.
Hyseni, i cili njihet për denoncimet e vazhdueshme për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve në Kumanovë, e ka cilësuar rastin si një tjetër dëshmi të injorimit të detyrimeve ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjuha shqipe duhet të jetë e pranishme krahas maqedonishtes në të gjitha institucionet në komunat ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, siç është Kumanova.
Reagimi i Hysenit vjen në vazhdën e një serie denoncimesh të tij ndaj udhëheqësisë komunale të kryetarit Maksim Dimitrievski. Më herët, këshilltari i AKI-së denoncoi shfaqjen e kryetarit me simbole të nacionalizmit serb, si dhe ndarjen e mirënjohjeve komunale ku nga 35 persona të nderuar nuk kishte asnjë shqiptar – përfshirë edhe anëtarë të grupit të tifozëve “Kumani”, të cilët një vit më parë kishin brohoritur thirrje antishqiptare në një ndeshje basketbolli.
Gjithashtu, Hyseni ka denoncuar ndarjen selektive të buxhetit komunal, duke akuzuar për investime prej qindra mijëra eurosh në varrezat ortodokse, ndërsa për varrezat e qytetarëve të përkatësisë fetare islame nuk investohet asnjë cent.
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e Kumanovës mbetet një nga pikat më të nxehta të debatit politik lokal, në një qytet ku bashkëjetesa ndëretnike konsiderohet një nga vlerat më të çmuara – por edhe më të brishta.
Burimi: Press Online




Leave a Reply