Rrjeti rajonal SafeJournalists ka dënuar ashpër sulmin ndaj pasurisë së gazetarit Blagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias online M-Net në Maqedoninë e Veriut, dhe i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të kryejë një hetim të plotë e të shpejtë për rastin.
Sipas njoftimit të rrjetit, vetura e Sersemovit u dogj qëllimisht nga persona të panjohur në oborrin e shtëpisë së familjes së tij në Shtip. Ky sulm i rëndë e i qëllimshëm jo vetëm që shkatërroi pasurinë e tij, por përbën edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj familjes dhe fqinjëve të gazetarit, duke vënë në rrezik serioz mirëqenien e tyre.
Duke komentuar shkatërrimin e qëllimshëm të pasurisë së tij personale, Sersemovi u shpreh se e konsideron këtë “një sulm të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha mediave, jo vetëm ndaj meje personalisht”, duke shtuar se siguria e anëtarëve të familjes së tij është komprometuar rëndë.
Rrjeti vë në dukje se gazetari këtë vit është përballur edhe me presione ligjore, pasi po përballet me padi për shpifje që i konsideron të pabaza, për të cilat ekipi ligjor i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) po e përfaqëson në Gjykatën Themelore në Shtip.
“Sulme dhe kërcënime të kësaj natyre janë të papranueshme në një shoqëri demokratike që përpiqet të mbrojë të drejtat mediale dhe sigurinë e të gjithë gazetarëve. Ky nuk është thjesht një akt fizik i shkatërrimit të pasurisë, por synon t’i heshtë gazetarët dhe të intimidojë të gjithë sektorin mediatik në vend”, thuhet në reagimin e SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e mediave në Ballkanin Perëndimor.
Rrjeti i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut të ndërmarrë veprime të menjëhershme për një hetim të plotë e të shpejtë, për të identifikuar dhe nxjerrë para drejtësisë autorët. Sulme të tilla nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar, dhe zgjidhja e tyre duhet të shërbejë si parandalues për ata që mendojnë se mund t’i heshtin gazetarët, thuhet më tej.
SafeJournalists ka bërë të ditur se do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast, duke theksuar se çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Burimi: SafeJournalists




Leave a Reply