Shqipëria ka shënuar një tjetër hap përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pasi Brukseli dha dritën jeshile për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave, që mbulon Politikën e Ndërmarrjeve dhe Industrisë. Kryeministri Edi Rama tha se me këtë zhvillim fillon numërimi mbrapsht drejt objektivit historik të anëtarësimit.

Sipas burimeve diplomatike, konferenca e dhjetë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të çojë në mbylljen e përkohshme të kapitullit, me një projekt-pozicion të përbashkët të BE-së që u shqyrtua në grupin punues për zgjerimin. Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt negociues dhe kishte mbyllur paraprakisht më parë kapitujt 25, 26 dhe 30; Kapitulli 20 do të ishte i katërti.

Lajmi vjen në një moment kur Komisioni Evropian po përgatit udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim, mes tyre edhe Shqipëria. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, njoftoi së fundmi se ekzekutivi i BE-së do të propozojë së shpejti udhërrëfyes me afate indikative, duke iu përgjigjur ambicies së Tiranës për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027.

Paketa e miratuar nga Komisioni më 6 tetor propozon edhe votimin me shumicë të cilësuar për hapjen e grupeve të kapitujve dhe vendime të tjera të ndërmjetme, në vend të unanimitetit, me synimin për të shmangur bllokimet nga vetoja e një shteti të vetëm. Propozimi nuk prek vendimin final për pranimin e një anëtari të ri, që mbetet në duart e shteteve anëtare.

Kryeministri Rama e ka përshkruar 2027-n si afatin për përfundimin e negociatave teknike, një kalendar që Komisioni Evropian duket gjithnjë e më i gatshëm ta njohë zyrtarisht. Megjithatë, Brukseli vijon të theksojë se procesi mbetet i bazuar në merita dhe përmbushjen e kritereve, jo në afate politike.

Mbyllja e Kapitullit 20 konsiderohet një sinjal i fortë se ritmi i negociatave po përshpejtohet, në një kohë kur Shqipëria po garon të jetë ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet BE-së.

Burimi: Agence Europe