Pas aksionit “Aditivët”, në të cilin 23 persona dyshohen për prokurim të dyshimtë miliona dollarësh për TEC Manastirin, kryeministri Mickoski paralajmëron dhjetëra aksione të tjera policore që do të zbardhin ngjarjet e viteve të kaluara.
“Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Prokurorinë, po ndërmarrin veprime, dhe aksioni që përmendni është realizuar para disa ditësh, ku 23 persona dhe dy persona juridikë janë të dyshuar. Në periudhën në vijim do të punohet për dhjetëra raste të tjera. Qytetarët do të kenë një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Policia është ende në kërkim të Vasko Kovaçevskit, ish-drejtorit të EMV-së, i cili është një nga të dyshuarit në aksionin “Aditivët”. Ministria e Brendshme ka njoftuar për Alsat se, sapo ai të kapet, do të informohet menjëherë opinioni publik.
Gjykata Themelore Penale-Shkup ka vendosur paraburgim prej 30 ditësh për ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Stefanov, dhe shtatë persona të tjerë të dyshuar për krim në vlerë prej 6,5 milionë eurosh.
Përveç kësaj, një person është në arrest shtëpie, ndërsa 13 të tjerë kanë masa kujdesi. Aksionet janë realizuar në gjithsej 77 lokacione. Që nga fillimi i mandatit të tij, Mickoski ka theksuar se ka indikacione për krime të rënda në disa institucione shtetërore dhe se në periudhën e ardhshme, të gjithë personat e përfshirë do të dalin para drejtësisë.
Komento