Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka deklaruar se koalicioni VLEN do të bëjë përpjekje maksimale për heqjen e definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë si “gjuha e 20 përqindëshit” në momentin kur të hapet Kushtetuta për të bërë ndryshimet e nevojshme për vazhdimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Ne jemi të angazhuar që në nivel qendror të bëjmë gjithçka për heqjen e këtij definimi për gjuhën shqipe, megjithatë, në nivelin lokal, ky definim duhet të mbetet në fuqi, veçanërisht në komunat ku jeton pakica turke,” tha Fetai, duke theksuar se kjo ka qenë gjithmonë një prej angazhimeve të koalicionit VLEN dhe Aleancës për Shqiptarët.
Fetai theksoi se koalicioni po punon me një grup të përbashkët për të arritur një zgjidhje ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komunitetit shqiptar në vend. Ai gjithashtu bëri të ditur se grupi punues i koalicionit ka mbajtur tashmë tre takime dhe se, nga java e ardhshme, do të fillojnë të diskutojnë për një zgjidhje konkrete që do t’i paraqitet parlamentit për miratim, duke shtuar se kjo do të pasojë me debat publik.
“Në fund të fundit, pas 22 vjetësh, parimi kushtetues që ka mbështetur këtë çështje do të gjejë një zgjidhje konkrete ligjore,” shtoi Fetai.
Përveç kësaj, ai theksoi se qeveria e re do të fokusohet edhe në reformat në administratë, duke kritikuar administratën aktuale për politizimin e saj ekstrem dhe për ngarkesën e tepërt në numra, që e ka bërë atë joefektive dhe të vështirë për t’u menaxhuar.
“Qeveria jonë do të punojë për të bërë administratën më efikase dhe më të depolitizuar, duke e kthyer atë në një strukturë që funksionon për qytetarët dhe jo për interesa partiake,” tha Fetai.
Komento